Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillay Clinton, ka thënë se ka përdorur emailin privat gjatë kohës sa ka qenë në detyrë thjesht për çështje lehtësie.
Megjithatë, ajo ka pranuar se “do të ishte më mirë” sikur të kishte dy llogari dhe të ndante emailet private nga ato zyrtare.
“Kur kam nisur të punoj si sekretare e Shtetit, kam zgjedhur të përdor emailin privat, i cili është lejuar nga Departamenti i Shtetit, sepse kam menduar se është më lehtë të përdor vetëm një adresë për emailet e punës dhe ato private. Tani mendoj se do të ishte më mirë sikur të përdorja një email të dytë dhe të kisha edhe një telefon, por në atë kohë kjo nuk është parë si problem”, ka thënë Clinton në një konferencë të shkurtër për shtyp në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Këto kanë qenë komentet e para të saj që nga java e kaluar, kur është bërë e ditur se ajo ka përdorur vetëm emailin e saj privat për punët zyrtare.
Por, çështja nëse Clinton, me këtë veprim, ka shkelur ligjet federale, ka tërhequr vëmendje edhe më të madhe, pasi ajo pritet të garojë për presidente të SHBA-së, në vitin 2016.
Ajo shihet si pretenduesja kryesore për emërimin e Demokratëve.
Sipas ligjit federal amerikan, korrespondenca e zyrtarëve konsiderohet pronë qeveritare e Shteteve të Bashkuara.
Clinton ka dërguar 60,000 emaile gjatë kohës sa ka qenë në detyrë dhe rreth gjysma e tyre kanë qenë private.
Clinton ka thënë se nga llogaria e saj private nuk është dërguar asnjë material i klasifikuar.
“Nuk kam dërguar me email asnjë material të klasifikuar. Jam e vetëdijshme për kërkesat e materialeve të klasifikuara dhe nuk kam dërguar asnjë të tillë”, ka thënë Clinton.
Adresa e Clintonit është drejtuar nga një server privat, i themeluar për bashkëshortin e saj, ish-presidentin Bill Clinton.
Departamenti i Shtetit ka marrë emailet e Clintonit, rreth 55,000 faqe të shtypura, dhe ka thënë se do t’i publikojë pas shqyrtimit.
Në një konferencë të ndarë për media, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, ka thënë se rishikimi i emaileve të Clintontit do të marrë muaj, para se ato të postohen online për publikun.
Pjesët që zbulojnë informacione për sekretet tregtare apo sigurinë kombëtare mund të reduktohen, në përputhje me udhëzimet e ligjit.