Ndërlidhjet

Nga viti 2010, kanë "vdekur" mbi 15 mijë biznese në Kosovë


Mbi 15 mijë biznese në Kosovë janë mbyllur, apo kanë pushuar aktivitetin e tyre ekonomik gjatë periudhës 2010-2014 , kurse vlerësohet se pa punë kanë mbetur mbi 31.200 punëtorë.

Kështu thuhet në një hulumtim të publikuar të premten nga Aleanca Kosovare e Biznesit, “Trendet e ndërmarrësisë të regjistruara dhe të shuara në periudhën 2010-2014".

Udhëheqësi i kësaj aleance, Agim Shahini, ka thënë se rezultatet e këtij hulumtimi pasqyrojnë një realitet të pa dëshiruar për bizneset dhe ekonominë kosovare.

Gjatë periudhës 2010 -2014, gjithsejë në Kosovë kanë qenë të regjistruara 41.112 biznese të reja, kurse janë mbyllur 6647.

Dy vitet e fundit, sipas hulumtimit, vërehet një përqindje në rritje e mbylljes së kompanive vendore dhe të huaja, rrjedhimisht edhe numri i qytetarëve që kanë mbetur pa punë.

Vetëm vitin e kaluar sipas hulumtimit janë regjistruar 8899 biznese, janë mbyllur 1672, kurse pa punë kanë mbetur 3344 punëtorë.

“Në vitin 2010 deri në vitin 2014,supozohet se këto kompani kanë pasur më shumë se dy të punësuar, kanë mbetur 13.294 punëtorë pa punë. Flasim gjithmonë për bizneset e shuara që janë çregjistruara .

"Por, nëse flasim për bizneset që kanë pushuar aktivitetin e vetë në këtë periudhë , atëherë neve na del gjendje tepër e rëndë. Në periudhën 2010 – 2014, mbi 15.600 biznese kanë pushuar aktivitetin ekonomik, kurse numri i punëtorëve që kanë mbetur pa punë është 31 200 persona të kualifikimeve të ndryshme nga sektorë të ndryshëm “, ka thënë Shahini

Nga këto shifra, afër shtatë mijë biznese e kanë bërë çregjistrimin sipas procedurave ligjore, kurse mbi tetë mijë nuk janë aktive dhe nuk kanë bërë çregjistrimin për shkak të procedurave të kërkuara.

Pronarët e bizneseve të shuara “ anashkalojnë “ procedurat e rregullta për shkak se për shuarjen e biznesit kërkohen disa dokumente duke përfshirë këtu edhe vërtetimin nga Administrata Tatimore e Kosovës, që nënkupton se biznesi duhet të ketë të paguara obligimet tatimore.

Në anën tjetër, përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK), e konsiderojnë më të lartë numrin e punëtorëve që kanë mbetur pa punë nga ndërprerja e aktivitetit ekonomik të këtyre bizneseve.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës se Sektorit Privat, sindikatë kjo që funksionon në kuadër të BSPK-së, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e konsideron shqetësuese numrin e punëtorëve që kanë humbur vendin e punës nga shuarja e kompanive private.

"Tragjike është mbyllja e 15 mijë bizneseve, por unë jam shumë i bindur se nëse janë mbyllur 15 mijë biznese, shifra e të punësurave që ka dalur jashtë procesit të punës mund të jetë mbi 50 mijë”.

Si shqetësim tjetër që paraqitet në hulumtim është se gjatë kësaj periudhe, sidomos vitin e kaluar ka pasur më tepër mbyllje edhe të kompanive të huaja që janë të regjistruara në Kosovë. Në vitin 2014, janë regjistruar 66 ndërmarrje të huaja por janë mbyllur 26 prej tyre ose 39.4 për qind thuhet në raport.

Disa nga arsyet dhe shkaqet e mbylljes apo pushimit të aktivitetit ekonomik të bizneseve private vendore dhe të huaja në Kosovë, sipas hulumtimit janë politikat fiskale jo adekuate, mungesa e subvocioneve nga donatorët, normat e larta të interesit bankar, ekonomia jo formale, konkurrenca jo e drejtë, çmimi i shtrenjtë i energjisë elektrike dhe humbja e fuqisë punëtore.

Situata e përgjithshme e ndërmarrjeve në Kosovë ndikon edhe në gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend thotë Shahini.

“Kjo është tepër e rëndë në situatën që jemi sepse kjo ndikon negativisht në investime, në konsum dhe në mbushje e buxhetit”, thotë ai.

Edhe shifrat zyrtare, tregojnë se gjatë vitit 2014 janë regjistruar 9485 biznese kurse janë shuar 1663 biznese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG