Ndërlidhjet

Ditë kaosi në Prishtinë


Prishtina u shndërrua të martën në zonë përplasjesh të rrepta ndërmjet njësiteve speciale të Policisë së Kosovës dhe protestuesve. Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë njoftuar se rreth 80 persona kanë kërkuar ndihmë emergjente.

"Rreth 50 prej tyre janë pjesëtarë policie", ka thënë Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK.

Forcat e rendit kanë përdorur gazin lotsjellës, topat e ujit dhe plumba gome, sipas njoftimeve të policisë, për të shpërndarë protestuesit e mbledhur në sheshin qendror të kryeqytetit, kurse protestuesit janë parë duke hedhur gurë dhe gjësende të tjera në drejtim të policisë.

Njësitet speciale të policisë kanë qenë të vendosura në pothuajse të gjitha rrugët sporadike që çojnë drejt sheshit qendror në Prishtinë.

Numri i të ndaluarve nga autoritetet e rendit thuhet të jetë 120.

Në mesin e tyre mediat vendore raportojnë se ishte edhe Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo e cila ka organizuar protestën e sotme. Zoti Ahmeti thuhet të jetë liruar ndërkohë.

Në një komunikatë të mëhershme për opinion, policia e Kosovës ka njoftuar se "rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar të sulmojnë policët, duke hedhur gjësende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, të cilat detyrimisht janë dashur të intervenojnë për t’i parandaluar sulmet e tilla, duke përdorur mjetet policore të ligjshme".

Policia e Kosovës u ka bërë "thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve".

Protesta kishte nisur në orën 12:00, e thirrur nga nga partitë politike në opozitë, në kërkim të shkarkimit të ministrit për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, dhe shpalljes së kombinatit metalurgjik “Trepça” si ndërmarrje e veçantë publike.

Përreth qeverisë ishin vendosur rrethojat dhe forcat e rendit. Protestuesit po kërkonin që në fillim të nisjes së protestës heqjen e rrethojave për të mundësuar, siç thanë, të drejtën për të protestuar.

"Sheshi është i yni, jo i qeverisë", "Trepça është e jona", "Jabllanoviq jashtë", "Hiqni barrikadat", "Poshtë Qeveria", ishin vetëm disa nga thirrjet e protestuesve.

Ndryshe, Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Jabllanoviq ka kërkuar falje për deklaratën e bërë.

Protesta e sotme pason protestën e së shtunës, më 24 janar, e cila përfundoi me një “ultimatum” dhënë qeverisë së Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë ministrin Jabllanoviq dhe të procedojë në Kuvendin e Kosovës ligjin e veçantë për Trepçën.

Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesave të parashtruara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG