Ndërlidhjet

Kuvendi miraton në parim ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të jashtme


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projekt-ligjin për ndalimin e shtetasve të Kosovës, që t'u bashkohen konflikteve të armatosura jashtë territorit të vendit.

Në seancën e sotme të Kuvendit, deputetët e kanë bërë shqyrtimin e parë të këtij projekt-ligji, i cili është bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Pas diskutimit prej rreth 1 orë e gjysmë, ku deputetët kanë shprehur pajtimet, mospajtimet apo vërejtjet lidhur me përmbajtjen apo formulimin e projekt-ligjit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i ka ftuar deputetët që të votojnë për ose kundër projektligjit.

“Konstatoj se në votim, kanë votuar për, 74 deputet. Kundër, kanë votuar 12 deputet dhe kanë abstenuar zero deputet. Miratohet në parim projekt-ligji për ndalimin e shtetasve të Kosovës që t'u bashkohen konflikteve të armatosura jashtë territorit të vendit”.

Ndryshe, shumica grupeve parlamentare në Kuvend, që në fillim të shqyrtimit të parë të projekt-ligjit, kanë theksuar se e mbështesin në parim.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, njëherësh edhe kryetari i komisionit për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka theksuar se ky komision pas shqyrtimit të projekt-ligjit ka kontatuar se ai i plotëson kushtet e parapara për shqyrim.

“I rekomandon Kuvendit që ta miratoj. Po ashtu edhe në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i japim mbështetjen këtij projekt-ligji”.

Miratimin e projekt-ligjit në parim e përkrahën që në fillim edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Por, miratimin e projekt-ligjit, në formën e cila është sjellë para deputetëve, e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.

Faton Topalli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar se projekt-ligji i cili është sjellë në Kuvend, është i përgjithësuar dhe nuk hyn gati fare në funksion të luftës. Sipas tij, terrorizmi duhet luftuar konkretisht dhe se duhet të përcaktohet qartë dhe me ligj se cilat janë organizatat terroriste.

“Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoj nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë ligjin dhe së bashku me të gjitha grupet parlamentare ta bëjnë një ligj të ri, i cili hyn në funksion të çështjes, për shembull, të ngjashëm me ligjin që ka një vend perëndimor, siç është Zvicra”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u është drejtuar deputetëve të Kosovës duke thënë se projekt-ligji në fjalë është modern dhe se është kërkesë e kohës për tu përballur me kërcënimin e përmasave globale. Sipas tij, numri i individëve nga Kosova që kanë shkuar në Siri dhe Irak, është shqetësues në krahasim me proporcionin e popullatës në vend.

“Edhe implikimet e këtyre luftëtarëve janë të shumta. Ata i shkaktojnë një barrë të madhe shtetit të ri të Kosovës, duke u përfshirë në konflikte kundër njerëzimit dhe dëmtojnë rëndë imazhin e vendit tonë”, theksoi Thaçi. Ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta miratojnë projekt-ligjin.

Por, deputeti i lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, ka këmbëngulur në qëndrimin se projekt-ligji është i përgjithësuar dhe pa parashikim të situatave specifike.

“Nëse dikush do të shkonte të luftonte në anën e kurdëve në Kobane, kundër ISIS-it, ky ligj e dënon. Neutraliteti dhe përgjithësimi i këtij ligji janë papërgjegjësi. Nëse thuhet "në cilëndo luftë, në çdo kohë, për të gjithë", atëherë ISIS dhe kurdët që po i rezistojnë ISIS-it në Kobane, janë të barabartë. Kjo është e padrejtë”.

Në fund, Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka theksuar se projekt-ligji është i qartë dhe bën fjalë për individ dhe grupe vullnetare dhe nuk bën fjalë për institucione shtetërore.

“Çdo përpjekje për të ngatërruar termat e projektligjit, me gjoja, parandalimin edhe të pjesëmarrjes së Kosovës në konflikte, të cilat i sheh si interes, në mënyrë të organizuar dhe kontrolluar shtetërore, është interpretim i gabueshëm dhe nuk qëndron”.

Ndryshe, kryeparlamentari Veseli ka ngarkuar komisionin funksional dhe komisionet e përhershme që në afatin e paraparë me rregulloren e Kuvendit, ta shqyrtojnë projekt-ligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportet me rekomandime.

Ndryshe, dispozitat e projekt-ligjit në fjalë, parashohin dënime prej 5 deri në 15 vjet për këdo që organizon, rekruton, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë, për këdo që në çfarëdo mënyre të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ofron, kërkon, mbledh ose fsheh fonde apo mjete të tjera, dënohet me burgim prej 3 deri në 15 vjet.

Pjesëmarrësit në ushtri apo polici të huaj, në formacion paraushtarak ose parapolicor, në konflikte jashtë vendit do dënohen me burgim prej tre 3 deri në 10 vjet.

Edhe thirrjaose nxitja e të tjerëve, për kryerjen e veprave penale, qoftë përmes shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, dënohet me burg prej 6 muaj e deri në 5 vjet.

Ngjashëm dënohet edhe moslajmërimi i përgatitjes së veprës penale, apo veprës penale të kryer si dhe strehimi i kryerësve të veprës penale dhe ndihma ndaj tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG