Ndërlidhjet

Beogradi kërkon bisedime në Bruksel për Trepçën, Brezovicën...


Paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës që Kombinati Trepça të kalojë në pronësi të qeverisë po kundërshtohet ashpër nga Beogradi zyrtar.

Autoritetet e Beogradit po mbështeten edhe nga serbët lokal në Kosovë, të cilët të hënën kanë organizuar protesta e bllokim të për disa orë të rrugëve në veri të Kosovës.

Qeveria e Serbisë po insiston që për fatin dhe të ardhmen e Trepçës, si edhe disa ndërmarrjeve tjera me vlerë, të vendoset në dialogun që Prishtina dhe Beogradi zhvillojnë në Bruksel.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se pas një fushate intensive diplomatike gjatë vikendit, kur sipas tij ai kishte biseduar me shumë përfaqësues ndërkombëtar, kishte arritur që të ndikonte në shtyrjen e vendimit të qeverisë së Kosovës për marrjen e Trepçës nën pronësi.

"Temën e pronësisë në Bruksel nuk e kemi hapur ende dhe kërkojmë që të bisedojmë tani dhe jo që pasuria së pari të na merret brenda natës e pastaj të na thonë ejani të bisedojmë sepse i keni edhe dy miniera të vogla në veri", ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, përveç Trepçës, Serbia pret të bisedohet edhe për Brezovicën, liqenin e Gazivodës e pasuri tjera të Kosovës.

Në mbështetje të politikave të Serbisë për të penguar kalimin e Trepçës nga një ndërmarrje shoqërore në pronësi të Qeverisë së Kosovës, të hënën janë ngritur në protesta edhe qindra banorë serb nga komunat veriore, përfshi edhe punëtorët serb nga ky kombinat.

Ata kanë marrë mbështetjen e kryetarëve të katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe.

Kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të marrë vendim të njëanshëm për pronësinë e Trepçës.

"Mbështetja Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës në këto momente të vështira vjen si një vendim i përbashkët me qëllim të ruajtjes së kombinatit Trepça dhe ruajtjes së stabilitetit dhe parandalimit të destabilizimit që mund të rrezikon ekzistencën e serbëve të veriut të Kosovës", ka theksuar kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq.

Edhe në komunat tjera veriore, si në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan kishte organizime të ngjashme.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve serb të kombinatit Trepça, Dushan Dragoviq ka deklaruar se punëtorët serb e kundërshtojnë çfarëdo ndryshimi të pronësisë së Trepçës.

"Nga ky vend, qartë dhe zëshëm porosisim të gjithë se nëse nuk pranohen argumentet dhe qëndrimet e qeverisë së Serbisë do të ndërmarrim hapat tjerë dhe do t'i përdorim të gjitha mjetet juridike e demokratike për realizimin e të drejtave tona", ka thënë kryesindikalisti serb i Trepçës.

Gjatë kohës së mbajtjes së protestave, disa rrugë magjistrale në veri kanë qenë të bllokuara.

Politikat e Beogradit për të përfituar nga pronat dhe pasuria e Kosovës po mbrohen edhe nga Lista Serbe.

Ky subjekt politik është krijuar në Beograd dhe tani paraqet forcën kryesore politike të serbëve të Kosovës.

Lista Serbe ka nën udhëheqje nëntë komuna të Kosovës, mbanë një post zëvendëskryeministri dhe dy poste ministrore në qeverinë e Kosovës si dhe ka nëntë ulëse në Kuvend.

Kjo Listë ka paralajmëruar së fundit Qeverinë e Kosovës se nëse e merr nën pronësi Trepçën, serbët mund t'i braktisin institucionet qendrore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG