Ndërlidhjet

Tridhjetë mijë njerëz brenda ditës në QKUK


Qendra Klinike Universitare e Kosovës frekuentohet nga më shumë se 30 mijë vizitorë gjatë ditës.

Kjo del sipas një analize të Inspektoratit Sanitar, ku Ibrahim Tërshnjaku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se frekuenca e madhe e njerëzve gjatë ditës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë,s e pa mundëson një nivel të dëshirueshëm higjiene në këtë institucion.

"Edhe këtë vit inspektorati sanitar ka bërë kontrollin e kushteve higjieniko-sanitare dhe tekniko-sanitare në qendrat spitalore në nivelin primar, sekondar dhe terciar. Nga ajo që kemi konstatuar në QKUK numri i vizitorëve dhe përcjellësve është tejet i lartë e që e pamundëson një nivel të lartë të mirëmbajtjes, e posaçërisht nuk do të mund asnjë kompani të krijojë kushte të mirëfillta të higjienës, pasi që rreth 30 mijë vizitorë gjatë ditës e frekuentojnë atë".

Këtu do të duhej të ekzistojë një mekanizëm tjetër në mënyrë që të instalohet një tjetër sistem që të mirëmbahet niveli i kushteve higjieno-sanitare në QKUK.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në klinikën emergjente në periudhën kohore janar-dhjetor të vitit 2014, ndihmë e emergjencë mjekësore kanë kërkuar rreth 45 mijë raste.

"Të gjitha rastet janë të natyrës emergjente, të natyrës internistike kirurgjike ortopedike dhe gjendjeve aksidentale. Numri i të frekuentuarve në klinikën emergjente me përcjellës është numër shumë i madh, duke shumëzuar herë trefishin, e që shkakton probleme tek ne në menaxhimin e situatave emergjente të cilat mund të ndërlidhen në pengimin e punës së mjekut, infermierit dhe shërbimeve përcjellëse".

E zoti Tërshnjaku ka deklaruar se çështja e njerëzve që i vizitojnë të sëmurët brenda QKUK-së, do të duhej të rregullohet me një sistem më të mirëfilltë.

"Kjo është një traditë jo e mirë e qytetarëve, por edhe nuk është rregulluar me një sistem të mirëfilltë për vizitorët , çështja e hyrje daljeve e atyre që i vizitojnë të sëmurët pasi që e pamundëson që kushtet tekniko-sanitare dhe kushtet higjieno-sanitare, që me kaq kapacitet të lartë të volumit të njerëzve të mirëmbahet një nivel i lartë i higjienës në këto institucione", ka shtuar Tërshnjaku.

Por, zoti Lenjani ka shtuar se në qendrën emergjente si njëra nga klinikat më të frekuentuara në gjithë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka hyrje nga të cilat edhe qytetarët që nuk kanë nevojë për shërbime mjekësore, kanë çasje aty.

"Meqenëse klinika emergjente ka tetë hyrje dhe ne jemi si portë hyrëse e klinikës emergjente dhe gjendemi në auto-udhë, ku klienti i cili nuk është i sëmurë, klienti mund të ketë çasje direkte në shërbimet tona".

"Prandaj ne kemi kërkuar nga drejtoria ekzekutive që sigurimi të forcohet në mënyrë që ti pengojë ata që nuk kanë nevojë për shërbime emergjente ose janë në përcjellje".

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i madh i njerëzve që hyjnë e dalin nëpër spitale, ndikon shumë negativisht, sidomos në bartjen e infeksioneve të ndryshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG