Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ministri në detyrë i Shëndetësisë Ferid Agani, ka shpjeguar rreth situatës së krijuar për intervistimin e tij nga prokuroria e shtetit.
Ai ka thënë se ekziston ngritja e dyshimit ndaj tij, se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka bërë shkelje të ligjit të prokurimit publik, duke lidhur marrëveshje me instititutcione private shëndetësore.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Agani, ju dyshoheni për keqpërdorim të detyrës zyrtare si ministër i Shëndetësisë në Kosovë. Cilat janë dyshimet që ngarkojnë mbi ju?
FERID AGANI: Unë po flas në bazë të komunikatës zyrtare që e ka shpallë prokuroria speciale e Kosovës. Aty ekziston ngritja e dyshimit se unë gjatë ushtrimit të detyrës sime zyrtare kam bërë shkelje të ligjit të prokurimit publik, dhe në bazë të kësaj shkelje duke lidhur marrëveshje të pa ligjshme me institucione private shëndetësore.
Në fakt jo unë, sepse unë nuk i nënshkruaj ato marrëveshje , por i nënshkruan sekretari i përgjithshëm i ministrisë. Por megjithatë si i pari i ministrisë, këto marrëveshje kanë qenë të pa ligjshme, dhe me këto marrëveshje është siguruar një pozitë e privilegjuar për këto institucione private në relacion me institucionet tjera private, të cilat nuk kanë pasur mundësi të hyjnë në konkurrencë për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga vija buxhetore për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore sepse ne nuk kemi shpallur tender, siç shihet parashihet me ligjin e prokurimit publik.
Pra ky është dyshimi. Por unë e kam thënë disa herë publikisht, se këto marrëveshje kanë qenë plotësisht të ligjshme, se shfrytëzimi i mjeteve nga vija buxhetore është për trajtimin e qytetarëve jashtë institucioneve publike shëndetësore është bërtë në pajtim me ligjin për menaxhimin e financave publike, konkretisht nenin 53 të këtij ligji, si dhe në pajtim me rregullën financiare 01/2013 e Ministrisë së Financave dokumente ligjore dhe nënligjore, që në tërësi e përjashtojnë mundësinë e tenderimit ose prokurimit publik, për mjetet financiare që gjenden në kategorinë ekonomike të subvencioneve.
Dhe kjo vijë buxhetore prej të cilës mbulohen shpenzimet për qytetarët që trajtohen jashtë institucioneve shëndetësore publike janë në kategorinë ekonomike të subvencioneve.
RADIO EVROPA E LIRË
Përveç jush, janë edhe dy zyrtarë të tjerë të ministrisë tuaj, mbi të cilët gjithashtu ka dyshime për keqpërdorime dhe kjo nuk është hera e parë që me këtë ministri merret prokuroria e shtetit. Cili është mendimi juaj?
FERID AGANI: Kjo më së miri e demonstron atë se unë kur e kam marrë Ministrinë e Shëndetësisë po hyj në një zonë të minuar. Dihet se edhe dy ministra paraprakë kanë qenë subjekt i procedurave hetimore, gjyqësore, arrestime të sekretarit permanent, arrestime të kryeshefit ekzekutiv dhe agjensionit të barnave, pra një mjedis i kontaminuar, i helmuar me shumë hipoteka me presione të mëdha para-politike dhe grupeve të interesit nga të gjitha anët.
Dhe ka qenë shumë e vështirë në një mënyrë të shpëtohet nga fërkime të ndryshme me grupe të fuqishme të interesit rreth dhe brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe kjo të them të drejtën ka qenë diçka që e kam pritë edhe më herët të ndodhë , duke e marrë parasysh që unë nuk kam qenë ministër i cili e ka ruajtur pozitën e vet, rehatinë e vet, qetësinë e vet duke mos ndërmarr asgjë, por kam bërë ndryshime radikale, ndryshime shumë të mëdha në segmente të ndryshme duke e themeluar fondin e sigurimeve shëndetësore, duke e decentralizuar furnizimin me barna, duke e themeluar odën e profesionistëve shëndetësorë, duke e nda si organizatë të veçantë buxhetore shërbimin spitalor klinik universitar të Kosovës.
Dhe gjitha këto zhvillime reformuese kanë pasur ndikim në atë që i kam ngushtuar keqpërdorimet në sektorin e shëndetësisë dhe natyrisht ata që kanë përfituar në mënyrë jo të ligjshme me vite të tëra, kanë reaguar me parashtresa të rrejshme në policinë e Kosovës dhe në bazë të cilave janë nisur tashmë procedurat e ndryshme që sot po i shohim.
RADIO EVROPA E LIRË
Prokuroria pretendon se pacientët janë udhëzuar që nga institucionet publike shëndetësore të “transferohen” në ato private, duke paguar përfitime materiale për këto të fundit, nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues. Si ka ndodhur kjo?
FERID AGANI: Është folur dhe përfolur me vite të tëra se ekziston dhënia dhe marrja e provizioneve për referimin e pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike. Ju e dini përkushtimin tim për ndarjen në tërësi puna në sektorin publik dhe privat dhe angazhimin tim për ligjin për shëndetësi, dhe e kaluam atë ligj në Kuvendin e Kosovës, mirëpo deshi ashtu fati që pas iniciativës së disa deputetëve Gjykata Kushtetuese ta anulon atë paragraf.
E ndjej veten shumë keq si ministër pas ballafaqimit me këtë realitet mes mjekut dhe pacientit, ndonëse këto janë të gjitha në procedurë të hetimeve dhe me siguri se fjalën përfundimtare ende nuk e kemi dëgjuar. Por në bazë të asaj që u pa deri më sot është një gjendje shumë e rëndë.
Unë e kam tërhequr vërejtjen edhe në mënyrë publike, dhe në Ministri i kam ftuar gjithë drejtorët e këtyre spitaleve private qysh para një vit e gjysmë, me hyrjen në fuqi të ligjit për shëndetësi, dhe kam kërkuar nga ta në mënyrë të hapur dhe ju kam tërhequr vërejtjen se në qoftë se konstatohet qoftë edhe vetëm një rast i marrjes së provizioneve nga qytetarët, me rast të referimeve, ai institucion privat nuk do të kontraktohet nga Ministria e Shëndetësisë ose fondi i sigurimeve shëndetësore. Mirëpo këto vërejtje nuk kanë qenë siç duket të mjaftueshme dhe e kemi pasur këtë situatë e cila është shumë fatkeqe.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, njëri nga këto spitale private të apostrofuara nga prokuroria, e me të cilat MSH-ja ka kontratë bashkëpunimi , thuhet se është e pa palicencuar. Si është e mundur që një institutcion si MSH të ketë bashkëpunim me një spitale të palicencuar?
FERID AGANI: Ne jemi në një procedurë të sqarimeve për shkak të dyshimeve të ngritura dhe unë me këtë rast nuk mund të jap detaje që do të specifikonin gjitha aspektet e këtij problemi, për hir të hetimeve, në mënyrë që të mos i komplikojë ato.
Por dua të them një gjë, se në periudhën kohore kur këto spitale kanë pasur marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë të nënshkruar , dy spitalet kanë qenë të licencuara. Bëhet fjalë për një periudhë të mëvonshme kur licenca jo që ju ka skaduar por nuk është ripërtërirë në mënyrë ligjore.
Por është çështje e organeve përkatëse të Ministrisë së shëndetësisë , është divizioni i sektorit privat që do të jep përgjigje për atë se çka ka ndodhur dhe si.
Dua të theksoj me këtë rast për hir të korrektësisë, që këto spitale të cilat kanë qenë në shërbim të qytetarëve me vite, duke anashkaluar këto keqpërdorime eventuale në raportin mes udhëheqësve të tyre dhe mjekëve që kanë referuar pacientë, kanë qenë spitale në shërbim të qytetarëve, dhe kanë ofruar ndihmë shumë cilësore , dhe kanë shpëtuar me qindra jetë.
Do të ishte shumë e padrejtë në qoftë se tash e gjithë ajo punë e vlefshme e që është dokumentuar edhe me raporte që i kanë dërguar Ministrisë së Shëndetësisë e të cilat i ka dokumentuar edhe inspektorati shëndetësor të hidhet poshtë dhe tash të shohim vetëm zi.
Është mirë që të gjithë keqpërdoruesit dhe përgjegjësit të hetohen, të zbulohen dhe të dënohen, por jo të dënohen institucionet shëndetësore sepse është e padrejtë sepse punojnë me qindra punëtor e që kanë bërë një punë të mirë deri më tani.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Agani, pavarësisht, problem me stenda, rreth të cilit ka kohë që diskutohet dhe tashmë ka raste të pacientëve që flasin për keqpërdorimet në këtë drejtim, ekziston. Si u bë që MSH-ja nuk ka ndërmarrë ndonjë aksion për të adresuar gjendjen e krijuar?
FERID AGANI: Të thuhet se Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë aksion është shumë e padrejtë. Unë prej kur kam marrë mandatin e ministrit të Shëndetësisë, në vitin 2011, reparti i kardiokirurgjisë ka qenë një sallë e zbrazët.
Përfundimisht deri atëherë nuk është bërë asgjë të provohet të aktivizohen shërbimet e kardiologjisë invazive brenda sektorit publik. Unë kam bërë përpjekje të jashtëzakonshme, ndonjëherë edhe të rrezikshme për vete, duke lënë përshtypje që po tentoj që po bëj ndonjë marrëdhënie të veçantë mes QKUK dhe spitaleve private në këtë lëmi, por qëllimi ka qenë zhvillimi i shërbimeve të kardiologjisë invazive dhe kardiokirurgjisë në QKUK.
Dhe unë mendoj që ja kemi arritur, pasi që sot ne kemi një shërbim të kardiokirurgjisë që presim ta aktivizojmë që të kemi shërbime 24 orëshe, në njësinë e kardiologjisë invazive dhe për këtë qëllim mendoj se QKUK do të angazhohet në maksimum dhe Ministria e Shëndetësisë do ta mbështes. Dhe të thuhet se nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, është vështirë të pranohet, pasi që një vit e më shumë kam insistuar si ministër që të realizohen tenderët për stenda, dhe në vazhdimësi këto tenderë janë nëpërkëmbur, kanë qenë subjekt i ankesave, vendimeve të ndryshme të organeve përkatëse, vonesa të paarsyeshme.
Në shumë mbledhje të meaxhmentit të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë kam insistuar që kjo të shpejtohet, por për fat të keq, grupet e interesit kanë qenë shumë të fuqishme dhe kanë ndërhy në nivele të ndryshme si te profesionistët shëndetësorë po ashtu edhe në institucione shëndetësore e komisione të vlerësimit e mos të përmendi tash organe të tjera që kanë qenë të ndërlidhura me procedura të ndryshme të prokurimit në Ministri, jashtë saj që të pengohet funksionalizimi i plotë i këtyre shërbimeve në QKUK.
Ndoshta edhe njëra prej shkaqeve që kemi një situatë të tillë tash dhe këtyre dyshimeve që janë ngritur është edhe kjo se përfundimisht kam qenë i interesuar dhe jam ende që ti largojmë këto re të zeza në shëndetësinë kosovare dhe tu ofrojmë qytetarëve shërbime cilësore aty ku i kanë marrë me vite të tëra në QKUK duke mos anashkaluar edhe rolin e institucioneve private shëndetësore në këtë aspekt.