Ndërlidhjet

100 ditë qeveri: Anashkalohen interesat e shqiptarëve


Analistët politik shqiptarë duke vlerësuar punën e qeverisë së Maqedonisë në 100 ditshin e parë theksojnë se kjo përbërje qeveritare ka shënuar hapa prapa, si në rrafshin e politikës së brendshme ashtu edhe atë të jashtme.

Mersel Billalli ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, duke komentuar qëndrimin e liderit të BDI, Ali Ahmeti i cili ngecjet në procesin e integrimit i ka arsyetuar me atë se zgjidhja e çështjes së emrit është një çështje shumë e ndërlikuar, thotë se janë politikat e qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Nikolla Gruvski ku bën pjesë tanimë më shumë se gjashtë vite edhe BDI, ata pamundësojnë arritjen e zgjidhjeve.

“Po kualifikimi se procesi i ndryshimit të emrit është proces shumë i komplikuar, nuk mban sepse, objektivisht çështja e emrit nuk ishte pengesë në bazë të marrëveshjes së përkohshme që ka Maqedonia me Greqinë nga viti 1995. Por është provokimi i vazhdueshëm i qëllimit që vjen nga qeveria e Maqedonisë viteve të fundit me antiken dhe projektin Shkupi 2014. Ajo që bëri që çështja e emrit të jetë proces i ndërlikuar, ose do thosha se ky veprim madje ishte i qëllimshëm nga kreu i qeverisë së Maqedonisë që të bllokojë procesin e euro-integrimeve”, thekson Mersel Billali.

Ai shton se shqiptarët, por edhe Maqedonia si shtet, sa i përket procesit të integrimit nuk kanë humbur vetëm 100 ditë por shumë më tepër, Maqedonia mbetet parapa dyerve të NATO-s dhe BE-së me vite.

“Maqedonia ka humbur një kohë shumë të gjatë sa i përket integrimit të vendit në BE dhe NATO. Duke qenë lider në rajon tani ajo mbetet e fundit, tani raportohet për 100 ditët e qeverisjes, por më duhet të theksoj se me këtë përbërje qeveritare Maqedonia ka humbur shumë më shumë se 100 muaj”, thekson Billalli.

Sa i përket realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, Billalli fokuson ndryshimet e fundit kushtetuese në të cilat nuk është përfshirë asnjë amandament që ka të bëjë me interesat e shqiptarëve të cilat garantohen pikërisht me Dokumentin Kornizë të Ohrit.

Nga ana tjetër duke komentuar qëndrimin e kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski se gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes kabineti i tij, duke përfshirë këtu dhe ministrat shqiptarë ka realizuar 116 projekte, gjersa 554 projekte të tjera janë në realizim.

Arben Halili, ekspert i ekonomisë konsideron se gjatë kësaj qeverisjeje në tërësi anashkalohen investimet në Maqedoninë Perëndimore, përkatësisht zonat e banuara me shumicë shqiptare.

“Sigurisht se këto 100 ditë të qeverisjes së re por të klasës së vjetër, paraqesin edhe 100 ditë të tjera dështimi ngase në asnjë formë nuk është artikuluar interesi i biznesmenëve shqiptarë madje as i qytetarëve shqiptarë. Të gjitha të arriturat në aspektin ekonomik të cilat u theksuan nga kjo përbërje qeveritare, janë të arritura të cilat kanë të bëjnë me realizimin e projekteve nga Shkupi, Strumica deri në Ohër, pa e përfshirë edhe pjesën pjesën perëndimore të Maqedonisë”.

“Gjithsesi më shumë mund të flitet për mos realizimin e korridorit 8, përkatësisht vetëm fillimin e punëve në pjesën Kërçovë-Ohër, dhe jo pjesën Kërçovë-Shkup që prek rajonet shqiptare, edhe më tej mund të flasim për zvarritjen e projektit të bibliotekës së Tetovës, qytetin me dy universitete pa bibliotekë, edhe më tej flitet për mosrealizimin e projektit të Teatrit të Shkupit, dhe një varg projektesh të tjera me interes për shqiptarët të cilat vetëm futen në propozim buxhetet por ë njëjtat mbeten të pa realizuara si pasojë e mungesës së mjeteve”, thekson Halili.

Ai nënvizon se në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet gjendja shumë e vështirë e objekteve shkollore në të cilat mësohet në gjuhën shqipe ngase shumica e komunave të cilat janë përgjegjëse për hartimin e propozim projekteve për rinovimin e objekteve arsimore janë në duart e BDI-së, e cila gjithashtu udhëheq dhe me dikasterin e arsimit.

Ndryshe gjatë ekspozesë së djeshme zëvendëskryeministri përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferi, tha se BDI si pjesë e qeverisë vazhdon me angazhimin e saj për të zbatuar këtë dokument kornizë përmes së cilit krijohet një bazë e rëndësishme për forcimin e karakterit multi-etnik të shtetit si dhe përparimin e raporteve mes bashkësive etnike.

Xhaferi më pas ka nënvizuar se në vazhdimësi punohet në përmirësimin e përfaqësimit adekuat si dhe zbatimit të politikave tjera që burojnë po nga Marrëveshja e Ohrit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG