Ndërlidhjet

Rritet niveli i kredive në Kosovë


Qytetarët e Kosovës gjithnjë e më shumë po marrin kredi në dhjetë bankat komerciale që operojnë në tregun e Kosovës.

Kjo vërehet edhe në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ku përmendet përshpejtimi i rritjes se kreditimit e cili reflekton më rritje të theksuar të kredive të reja të lëshuara nga bankat në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, të cilat kanë shënuar rritje 39.4 për qind, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin shënuar rënie prej 2.0 për qind.

Në raport po ashtu thuhet se kreditë kanë arritur vlerën 1.89 miliard euro, që paraqet rritje vjetore prej 3.5 për qind.

Sadik Hyseni, që punon në sektorin privat, para dy vitesh ka marrë kredi në njërën nga bankat komerciale që vepron në Kosovë.

Hyseni, thotë se kamatat për kredi janë shumë të larta, por vlera e marrë ka qenë zgjidhje për investimet e nevojshme familjare.

“Kam marrë kredi për ndërtim. Më është dashur shumë, unë nuk kam arritur që grumbulloj mjetet e nevojshme. Këstin e kredisë ma ndalin automatikisht pas daljes së pagës në xhirollogari, kurse me pjesën e mbetur po ia dalim disi”, thekson Hyseni.

Në anën tjetër, ekspertë për këtë çështje, japin vlerësime të ndryshme rreth rritjes së vëllimit të kredive në Kosovë.

Nazmi Mustafa, rektor në Kolegjin e Menaxhmentit Internacional “Globus” për Radion Evropa e Lirë vlerëson se bankat kanë mjete të mjaftueshme financiare pas rritjes së vlerës së depozitave, dhe tashmë nevoja e tyre është që mjetet t'i plasojnë në treg.

Sipas tij, nuk ekzistojnë faktorë esencial të cilët i tërheqin qytetarët për kredi, por më tepër është një gjendje e bilancit të bankave që duhet t'i plasojnë mjetet të cilat i kanë në dispozicion.

“Arsye tjetër ka qenë një periudhë e një e stagnimit të dhënies së kredive dhe ajo ka ndikuar që të krijohet një fazë e re, që të dalë në treg kapitali bankar përmes kredive”, shprehet Mustafa.

Përshpejtimi i trendit të rritjes së kredive, sidomos për ekonomitë familjare, sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, ka reflektuar me rritjen e pagave për shërbyesit civil gjatë kësaj periudhe, gjë e cila mund të ketë ndikuar në rritjen e kërkesës dhe potencialit kredimarrës nga ky sektor.

Por, profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, konsideron se mungesa e parasë se gatshme në treg, është arsyeja kryesore e rritjes së kredimarrjes.

E vetmja mundësi e financimit të cilën e kanë qytetarët e Kosovës janë kreditë nëpër bankat komerciale, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

“Rritja e kredive nëpër banka tregon edhe rritjen e shkallës se papunësisë, sepse alternativat e vetme, jo vetëm të bizneseve, por edhe të qytetarëve, familjeve mbesin financimet nga bankat komerciale. Nuk qëndron ajo se bankat komerciale i kanë përmirësuar ofertat, absolutisht nuk qëndron".

"Këto institucione vazhdojnë t'i kenë kamatat më të larta jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Shikuar nga ky këndvështrim absolutisht jam i bindur se nuk kanë alternativë tjetër, nuk kanë derë tjetër të trokasin për financimin e nevojave të tyre, qofshin ato familjare apo të biznesit”, thotë Gashi.

Për normat e larta të interesit, Nazmi Mustafa, ndërkaq konsideron se bankat kanë marrëveshje të pashkruara në mes vete për të mbajtur në këtë nivel interesat e kredive.

“Ka pasur një ulje të vogël por të pamjaftueshme, dhe në qoftë se merret fuqia kthyese e ekonomisë, interesat në Kosovë jo pak por shumë janë të larta. Dhe aty gjithmonë është një pikëpyetje, çka është kjo?"

"Ekziston një marrëveshje e pashkruar, por e njohur në mes bankave, t'i mbajnë normat e interesit në një nivel më të lartë, se sa që është dashur të jenë. Dhe kjo tregon se nuk ka ende konkurrencë të mirëfilltë në tregun bankar të Kosovës në mes të bankave”, thotë Mustafa.

Sidoqoftë, sipas raportit të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, thuhet e normat mesatare të interesit në kredi kanë vijuar trendin e rënies edhe gjatë tre mujorit të dytë të këtij viti.

Norma mesatare për kredi thuhet se kanë rënë në 10.6 për qind krahasuar më 12.3 për qind në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG