Ndërlidhjet

Maqedoni: Mërgimtarët sjellin më pak para


Ilustrim
Ilustrim

Mërgimtarët nga Maqedonia, të cilët llogariten si një faktor shumë i rëndësishëm për zbutjen e varfërisë për më shumë se 160 mijë familje të vendit, sipas të dhënave nga Banka Popullore e Maqedonisë, kanë dërguar rreth 30 milionë euro më pak, përkatësisht 380 milionë, krahasuar me periudhën e vitit të kaluar kur dërgesat arrinin vlerën mbi 413 milionë euro.

Bilall Kasami, profesor i Ekonomisë në Universitetin Ballkanik të Shkupit, vlerëson se problemi i uljes së remitencave, sipas të cilit më shumë se 80 përqindëshin e bëjnë shqiptarët, qëndron në rolin diskriminues të shtetit ndaj diasporës shqiptare.

“Po më duhet të theksoj se Maqedonia, si shtet, ka një qasje negative ndaj qytetarëve të kësaj kategorie duke bërë të ndihen të diskriminuar në çdo aspekt, andaj mërgimtarët gjithnjë e më shumë kursimet e tyre orientohen për t`i investuar në vendin, ku gjenden me punë të përkohshme”.

“Në këtë drejtim, do të fokusoja dhe faktin se Maqedonia nuk u krijon mundësi mërgimtarëve për të investuar në ndonjë projekt ekonomik dhe këtu kemi të bëjmë me faktin se tani gjenerata e dytë dhe ajo e tretë kanë shkëputur linjën emocionale me vendlindjen e prindërve, kurse të ardhmen më shumë dëshirojnë ta ndërtojnë në vendet evropiane, ku dhe investojnë në patundshmëri”, thotë Kasami.

Ndërkaq, kryetarët e komunave thonë se mërgimtarët nëse përcaktohen për të investuar, këtë e bëjnë në patundshmëri me blerjen e banesave ose lokaleve, por jo edhe për hapjen e ndonjë biznesi të vogël ose të mesëm.

“Atë që mërgimtarët e kërkojnë nga ne, ka të bëjë me lokacionet me infrastrukturë të përshtatshme dhe kjo është pjesa më e vështirë për të siguruar. Kuptohet nëse kjo sigurohet pastaj është më e lehtë, sepse ne si kryetarë komunash, meqë në dorën tonë mbetet të përcaktojmë lehtësimet që do t`ua mundësojmë investitorëve”, thekson kryetari i Komunës së Ohrit, Nikolla Bakraçevski.

Edhe në Komunën e Tetovës është hapur një zyrë e veçantë, me qëllim për të inkurajuar mërgimtarët të investojnë në Maqedoni, duke u ofruar atyre asistencë rreth informacioneve për situatën ekonomike, plotësimin e nevojave për fuqi punëtore, përgatitjen e dokumentacionit dhe biznes planit, përmirësimin e zinxhirit të furnizimit si dhe duke ndihmuar në depërtimin e tregjeve të reja etj.

Por, edhe në këtë rajon mërgimtarët në të shumtën e rasteve vijnë për disa ditë të jenë pjesë e gëzimeve familjare dhe kthehen në vendet ku punojnë.

Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Billall Kasami, konsideron se nëse kapitali i mërgimtarëve nuk konvertohet në investime, përkatësisht vende të reja pune, kjo do të këtë impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e varfërisë, veçanërisht tek ato familje, të cilat janë të varura nga paratë që u sjellin mërgimtarët.

“Kjo, gjithnjë e më shumë do të paraqitet si krizë e konsumit në Maqedoni, meqë pjesa dominuese e këtyre mjeteve që vijnë nga diaspora, shkon në konsum. Kjo do të ketë impakt në thellimin e krizës, kur e dimë se këto mjete kanë qenë një impuls shumë i rëndësishëm kundrejt mallrave të konsumit , meqë gjatë periudhës së qëndrimit të mërgimtareve në vendlindje, në mënyrë të dukshme rritet dhe konsumi i përgjithshëm”, vlerëson Kasami.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG