Ndërlidhjet

Maqedoni: Shqiptarët, pak të përfaqësuar në institucione


Ilustrim
Ilustrim

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore si një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, edhe pas 13 vjetësh mbetet larg normës së garantuar në këtë dokument dhe garantuar me Kushtetutën e Maqedonisë, thekson Naser Ziberi, një nga ekspertët pjesëmarrës në hartimin e këtij dokumenti kornizë.

“Përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në institucione duhet të përfundojë në vitin 2004, siç parasheh dhe aneksi C i Marrëveshjes së Ohrit. Obstruksionet permanente, të cilat i bëhen këtij dokumenti nëpër institucionet shtetërrore, nëpër ministri apo drejtori ose sekretariate, kanë penguar realizimin e këtij përcaktimi edhe kushtetues, edhe dispozite të Marrëveshjes së Ohrit”.

“Në ato institucione ku drejtues janë ministra apo drejtorë, kuptohet se kohë pas kohe shënohen lëvizje, por në momentin kur këta persona zëvendësohen me drejtues maqedonas, sërish vjen deri te debalansi i përfaqësimit”, thotë Ziberi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se numri i shqiptarëve në institucione është rritur për 13 mijë të punësuar, ose vetëm rreth 7 për qind nga 2007 e këtej, prej kur ky institucion përpunon raporte të detajuara për institucionet, në veçanti se në cilin nivel ato e kanë zbatuar këtë dispozitë ligjore.

Shqiptarët edhe më tej mbeten nën 18 për qind të përfaqësuar në gjykata, polici, në dikasterin e mbrojtjes, në financa dhe diplomaci. Madje, disa institucione mbeten hermetikisht të mbyllura për shqiptarët siç janë njësitet elite të dikasterit të Mbrojtjes apo dikasteri Shërbimeve Sekrete të Shtetit.

“Dhimbja më e madhe apo përfaqësimi më ekstremisht i parealizuar mbetet në institucionet, që nuk janë në varësi të drejtpërdrejtë nga ana e Qeverisë së Maqedonisë. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një obstruksion, si rezultat i mungesës së vullnetit politik për implementimin e përcaktimeve kushtetuese dhe Marrëveshjes së Ohrit”, vlerëson Ziberi.

Por, analisti maqedonas, Sasho Klekovski, konsideron se do të ishte gabim i madh nëse gjithçka do të ishte vetëm për përfaqësimin e drejtë, meqë sipas tij, edhe pjesët tjera të këtij dokumenti kornizë janë po aq të rëndësishme, për palcën multi-kulturore të Maqedonisë.

“Vlerësoj se përfaqësimi i drejtë i etniteteve që garantohet me Marrëveshjen e Ohrit, edhe pse nuk zbatohet ashtu siç do të donin të gjithë në raport me sasinë dhe cilësinë, megjithatë ka ndryshuar raportet e kontaktit në vendet e punës. Tani mund të hasni shumë më shumë përfaqësues të etniteteve të ndryshme nga ajo që ishte më parë, njëjtë është puna edhe në sektorin e biznesit”, konsideron Klekovski.

Ai shton se mbase tani është koha për një analizë thelbësore rreth këtij dokumenti, i cili instaloi paqen pas konfliktit të armatosur në Maqedoni gjatë vitit 2001 duke u fokusuar në atë se çka funksionon, e çka nuk funksionon nga Marrëveshja e Ohrit.

Ndërkaq, BDI-ja që përfaqëson shqiptarët në Qeveri, në vazhdimësi thekson se ky proces është i vështirë dhe për t`u arritur rezultate të kënaqshme nevojitet kohë. Ndërkohë që, sipas saj, ende nuk është gjetur një mekanizëm që do t’i sanksiononte ato institucione që nuk zbatojnë këtë dispozitë të Kushtetutës që ka të bëjë me përfaqësismin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Ekspertët konsiderojnë se edhe kundrejt një dimensioni kohor prej 13 vjetësh kur dhe u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, shoqëria maqedonase nuk ka reflektuar pjekuri politike që do të nënkuptonte përfshirjen e shqiptarëve në institucione si vlerë dhe jo obligim.

Andaj, sipas tyre, nevojitet që çështja e përfaqësimit të rregullohet me ligj, që do të obligonte të gjitha institucionet që 25 për qind nga numri i të punësuarve, të jenë shqiptarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG