Ndërlidhjet

Investimi i Fondit Pensional, kthim apo grabitje?


Ilustrim
Ilustrim
Transformimi i Fondit të Trustit të Kursimeve Pensionale në projekte qeveritare, kërkon siguri që mjetet e investuara të mos keqpërdoren për interesa të caktuara partiake apo projekte jofitimprurëse, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Kohëve të fundit zyrtarë qeveritar kanë premtuar krijimin e një Fondi për Punësim dhe Zhvillim, duke u bazuar në mjetet e Fondit të Privatizimit dhe Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, që arrijnë shifrën rreth 1.5 miliard euro.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës kap shumën prej 956 milionë euro, ndërkaq fondi i privatizimit arrin mbi 600 milionë euro.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale - STRAS, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme për projektet që financon nga ky fond, sepse këto mjete kanë pronarë individual dhe në fund duhet t’i kthehen pronarit.

“Nëse me këto para duhet të financohet zhvillimi, punësimi, është krejt në rregull. Por, duhet të ketë garanci të qëndrueshme se këto para nuk duhet të humbin dhe duhet të kthehet madje më një interes të caktuar, interes që duhet të sillet në bazë të asaj që është në treg”.

“Pastaj, qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme për projektet që financon, jo të financojë interesat grupore, partiake apo interesat e strukturave 'mafioze' me biznes, por projekte që garantojnë kthim”, thotë Rexhepi.

Mjetet e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, janë të “paprekshme” dhe tentimi për përvetësim është “i pandershëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Sejdi Osmani kryetar i Bordit të Kolegjit “Riinvest”.

Duke e quajtur grabitje të fondit, Osmani thotë se kjo mjete janë krijuar nga kontributet e qytetarëve në marrëdhënie pune dhe investimi në projekte qeveritare rrezikon kthimin e tyre.

“Tendeca e tillë është një manipulim me qytetarët e Kosovës, sepse t'i premtosh qytetarëve një fond zhvillimor më para që qeveria nuk i ka në qeverisje është një mashtrim dhe një sjellje e pandershme dhe tentim për marrjen e votave të qytetarëve në mënyrë të pandershme”, thekson Osmani.

Megjithatë, Ibrahim Rexhepi, shprehet se për shkak të rrezikshmërisë eventuale, qeveria e Kosovës nuk duhet të insistojë që të riatdhesojë komplet fondin e kursimeve.

“Me qenë se atëherë rreziku është qind për qind, rreziku për qëndrohet vetëm në një pikë, në këtë rast është në Qeverinë e Kosovë. Dhe çka nëse dështon qeveria e Kosovës në kthimin e këtyre mjeteve?"

"Unë mendoj se më e arsyeshme është që në një përqindje të caktuar, qeveria të merr pjesë në shfrytëzimin e këtyre mjeteve, kurse pjesa tjetër të jetë e shkapërderdhur në tregjet financiare apo në tregjet e letrave më vlerë në mënyrë që edhe rreziku të shpërndahet”, thotë Rexhepi.

Në anën tjetër, Sejdi Osmani, thekson se çfarë do shumë eventuale e kthimit të fondit të Trustit do të keq menaxhohet nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria deri tash nuk ka dhënë prova se është e përgjegjshme për menaxhimin e parasë publike. Një përqindje e madhe projekteve që zhvillohen më para të buxhetit të Kosovës janë të përcjella më afera të shumta korruptive, shkelje ligjesh, etj.", thekson Osmani.

Sidoqoftë, Ministri i Financave Besim Beqaj, ka premtuar se në shpërndarjen dhe shfrytëzimin e mjeteve do të sigurohet transparencë e plotë.

Ndryshe, në një përgjigje përmes postës elektronike, zyrtarë të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, theksojnë se ligji në fuqi nuk lejon investimin e fondit pensional.

Por, tërheqja e mjeteve nga tregjet globale ku janë të edhe investuara mund të bëhet për një periudhë të shkurtër kohore.

Për funksionalizimin e Fondit, Ministria e Financave tashmë ka formuar një grup punues i cili do të shqyrton nevojën e ndryshimeve legjislative.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG