Ndërlidhjet

Venizelos: Integrimi i Maqedonisë – Pengesë, kriteret e Kopenhagës, jo emri


Venizelos në Maqedoni
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:48 0:00

Venizelos në Maqedoni

“Pengesë kyçe për anëtarësimin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, nuk është ajo që theksohet si “çështje e emrit”, por përmbushja e kritereve të Kopenhagës, veçanërisht pika që ka të bëjë me raportet e mira ndër-fqinjësore. Në funksion të integrimit të vendit është realizimi me përpikëri i marrëveshjes së marsit”, tha ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos, gjatë qëndrimit në Maqedoni.

Komentet, Venizelo, që njëherësh kryeson dhe me Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, i bëri në hapësirat e delegacionit të BE-së në Shkup, dhe jo në konferencën e përbashkët me homologun e tij, Nikolla Poposki, ashtu siç veproi gjatë vizitave të tij në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë.

Diplomati grek tha se pas takimeve që ka realizuar në Shkup, ka fituar përshtypjen se Qeveria e Maqedonisë, elitat politike dhe sektori civil janë të gatshëm të participojnë në dialogun ndërmjet dy vendeve, jo vetëm për çështjen e emrit, por edhe për avancimin e bashkëpunimit bilateral.

I pyetur pse Greqia është kundër propozimit të Komisionit Evropian që paralelisht me bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian të realizohen dhe bisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit, Venizelos tha se politikat e zgjerimit janë kompetencë e Këshillit të Evropës dhe jo e Komisionit Evropian.

“Ne e vlerësojmë punën e Komisionit Evropian, por vendimi përfundimtar është çështje politike”, deklaroi Vezinellos.

Ai përkujtoi rekomandimet e dhjetorit, në të cilat theksohet rëndësia e raporteve të mira ndërfqinjësore duke e ftuar ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Popovski, gjatë takimit të vendeve të BE-së, i cili do të realizohet në Selanik, në prill të këtij viti.

Venizelos gjatë ditës është pritur edhe nga kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski dhe presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Popovski, në një konferencë për shtyp tha se edhe pas këtij takimi, pala greke nuk është e përgatitur për ndonjë përparim thelbësorë sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit.

“Ne, për çdo rast do të mbetemi të përkushtuar në atë pjesë që ne e kemi nën kontroll, ato janë të gjitha reformat që i bëjmë për një Maqedoni më të mirë. Do të mbetemi të hapur për dialog në çdo moment, në çdo vend dhe në çdo format. Ne, historikisht, kemi qenë në situatë të respektojmë marrëveshje të imponuara në bazë të kontesteve të imagjinuara. Pavarësisht atyre, ne jemi të hapur për dialog”, theksoi Popovski.

Sipas tij, janë jokonstruktive deklaratat se Maqedonia mbetet jashtë dyerve të Bashkimit Evropian, si pasojë e mosplotësimit të kritereve të Kopenhagës dhe jo si pasojë e moszgjidhjes së kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë.

“Të gjithë e kanë shumë të qartë se cila është arsyeja se pse Maqedonia nuk arrin të anëtarësohet në NATO dhe njëherësh pengohet të fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian. Madje, këtë nuk e themi vetëm ne, por njëkohësisht theksohet dhe në rekomandimet e Komisionit Evropian”, shtoi Popovski.

Ai gjithashtu ironizoi faktin që mysafiri i tij shmangu mbajtjen e konferencës për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme ose në Qeverinë e Maqedonisë, duke theksuar se “është çështje shijesh dhe me siguri nuk i pëlqen mbishkrimi “Republika e Maqedonisë”.

Gjatë ditës, Evangelis Venizelos u takua edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin në përpjekje të zhbllokimit të procesit integrues dhe zgjidhjen e kontestit të emrit, ishte takuar edhe në Athinë në tetor të 2013-s.

“Ndamë mendime të njëjta për shumë çështje, sidomos në aspekt të lëvizjes, jo vetëm të vendim tonë, por edhe të rajonit në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe BE. Sigurisht si çështje dhe pengesë paraqitet moszgjidhja e çështjes së emrit. Venizelos paraqiti një gatishmëri të plotë që do të angazhohet për një zgjidhje të pranueshme për të dy palët”, tha pas takimit Ahmeti.

Sipas Ahmetit, të dyja palët kanë ndarë qëndrime të njëjta për shumë çështje, përfshirë edhe nevojën për gjetjen e një kompromisi për emrin.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pas takimit me shefin e diplomacisë greke Evangelos Venizellos, theksoi se vizitat e këtilla janë një hap para që çojnë kah zgjidhja e kontestit.

“Kërkuam inkuadrimin më të fuqishëm të BE-së dhe Greqisë, për zgjidhjen e problemeve që ka Maqedonia në rrugën drejtë integrimeve evropiane”, u shpreh Zaev.

Evangelis Venizelos është dhe zyrtari i parë grek që viziton Maqedoninë pas rreth dhjetë vjetësh, i cili në Shkup ka arritur përmes Prishtinës për të shmangur aterimin në aeroportin e Shkupit “Aleksandri i Madh”, por edhe për të mos udhëtuar nëpërmjet autostradës me po të njëjtin emër.

Venizelos do të ndjekë të njëjtën rrugë edhe për t’u kthyer, nëpërmjet Prishtinës, me avion do të niset për në Athinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG