Ndërlidhjet

Thaçi: Kosova e ka përmbyllur dialogun për energjinë dhe telekomin


Kabineti i Qeverisë së Kosovës
Kabineti i Qeverisë së Kosovës
Marrëveshjet për çështjet e energjisë dhe telekomunikacionit për Kosovën tashmë janë kapitull i përmbyllur në dialogun me Serbinë, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.

Këto komente, Thaçi i ka bërë gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ku ai ka folur në lidhje me takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me homologun e tij nga Serbia, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Sipas kryeministrit të Kosovës, jo vetëm Prishtina, por edhe Brukseli dhe baronesha Ashton konsiderojnë se për energjinë dhe telekomin, dialogu është përmbyllur.

“Sa i përket energjisë dhe telekomunikacionit, për Kosovën kjo çështje është përmbyllur, e po ashtu edhe për Bashkimin Evropian dhe baroneshën Ashton. Presim deri më 8 gusht që këto marrëveshje t’i pranojë edhe Serbia”, është shprehur Thaçi.

Përndryshe, kryeministri Thaçi e ka vlerësuar pozitivisht këtë fazë të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ai ka thënë se strukturat paralele të sigurisë në veri të Kosovës po pushojnë së funksionuari, përfshirë edhe ato të drejtësisë. Kurse, ka ftuar serbët e komunave veriore që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale të 3 nëntorit.

“Shpresoj dhe besoj plotësisht se do të respektohen të gjitha afatet kohore për regjistrimin e partive politike, iniciativave qytetare edhe në veri, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 3 nëntorit. KQZ-ja po i kryen të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe të domosdoshme për këtë qëllim”, ka thënë Thaçi.

Përderisa pala kosovare e interpreton marrëveshjen e arritur me Beogradin si një kurorëzim të angazhimeve për shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës edhe në komunat veriore, Beogradi, në anën tjetër, ka një interpretim më ndryshe.

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, u ka thënë medieve serbe se dalja e komunitetit serb në zgjedhjet e 3 nëntorit, nuk nënkupton njohjen e shtetit të Kosovës.

Është më se e qartë që nuk mund të bëhet fjalë për njohjen e shtetit të Kosovës nëse ju votoni me dokumentet e Serbisë dhe nëse ju nuk i drejtoheni direkt Prishtinës, por e keni OSBE-në si lehtësuese”, ka thënë Vulin.

Sipas tij, marrëveshja me Prishtinën është neutrale në raport me statusin e Kosovës dhe përderisa është e tillë, do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Serbisë dhe do ta ketë edhe përkrahjen e serbëve të Kosovës.

Deri më tani, nuk është raportuar për ndonjë subjekt politik nga komunat veriore që ka shprehur interesim për pjesëmarrje në zgjedhje, mirëpo sipas informacioneve që qarkullojnë, besohet se ky komunitet i koordinuar edhe nga Beogradi, do të garojë me një listë të përbashkët qytetare në zgjedhjet e ardhshme komunale në veri.

Ndërkaq, subjektet aktuale politike që përfaqësojnë serbët e veriut, kanë paralajmëruar që në start bojkotimin e këtyre zgjedhjeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG