Ndërlidhjet

A janë të sigurta objektet e banimit?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kushtet për shfrytëzim të objekteve të banimit, qendrave tregtare, objekteve qeveritare, kopshteve për fëmijë, e shumë ndërtimeve të tjera mbesin të dyshimta, meqë pranimet teknike këtyre ndërtesave, bëhen rrallë nga autoritetet kompetente në Kosovë.

Mirëpo, edhe nëse bëhen, ato lënë hapësirë për dyshime se janë pranuar pa përmbushur kriteret që dalin nga Ligji i ndërtimit.

Njohësit e ndërtimtarisë dhe të arkitekturës, zyrtarë të komunës së Prishtinës, banorë të këtyre banesave, apo edhe frekuentues të këtyre objekteve, flasin lidhur me përmbushjen ose jo të kritereve të këtyre objekteve.

Brenda 14 vjetëve që nga paslufta, vetëm në komunën e Prishtinës thuhet të jenë ndërtuar rreth 5 mijë objekte banimi.

Por, a iu është bërë pranimi teknik të gjitha këtyre objekteve para se ato të lëshohen në shfrytëzim dhe sa i plotësojnë kriteret bazë për t’i shfrytëzuar?

Vetë zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se ka shumë objekte, të cilat kanë filluar të përdoren pa iu bërë pranimi teknik.

Ferid Fazliu, shef i Sektorit për ndërtimtari në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe pse është në kundërshtim me Ligjin, në Prishtinë ka shumë objekte, të cilave nuk iu është bërë pranimi teknik dhe ato shfrytëzohen nga qytetarët.

“Ka objekte, të cilat janë duke u shfrytëzuar pa leje përdorimi, ka objekte të tilla edhe pse ato janë në kundërshtim me ligj. Ne, si Drejtori e Urbanizmit, nuk mund të ndërmarrim asgjë, këtu mund të bëjë diçka vetëm Drejtoria e Inspeksionit”, thotë Fazliu.

Në Drejtorinë e Inspeksionit, ndërkaq, thonë se këtyre objekteve nuk iu është bërë pranimi teknik, pasi që si të tilla, nuk kanë as leje ndërtimi.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Muhamet Gashi, sqaron për Radion Evropa e Lirë se objektet, të cilat janë pa leje përdorimi, duhet t’i nënshtrohen procesit të legalizimit.

“Numri më i madh i objekteve, të cilat shfrytëzohen dhe nuk kanë pranim teknik, janë bërë më herët dhe pa leje ndërtimi. Kemi një numër të madh të objekteve kolektive që janë të banuara dhe nuk ka pranim teknik. Është mundësuar, në bazë të një rregullore të komunës, që këto objekte t’i nënshtrohen procesit të legalizimit dhe gjatë procesit të legalizimit, profesionistët do të merren edhe me pranim teknik”, sqaron Gashi.

Mirëpo, ndryshe nga Muhamet Gashi, shprehet Ferid Fazliu. Sipas Fazliut, pa pranim teknik janë edhe objektet, të cilat kanë leje ndërtimi. Ai tregon se këtyre procedurave nuk i janë nënshtruar edhe objektet institucionale, të cilat janë ndërtuar në vitet e fundit.
Akademia e Shkencave, objekti i Ministrisë së Arsimit, objekti i Qeverisë së re, ish- Rilindja, janë duke u shfrytëzuar pa pranim teknik...

“Çdo ndërtim, për të cilin është marrë leja e ndërtimit në Komunën e Prishtinës, duhet të bëjë pranimin teknik. Mirëpo, ne kemi objekte qeveritare që kanë marrë lejen, e që janë duke u shfrytëzuar. Ne iu kemi dërguar vërejtje që nuk mund ta shfrytëzojnë pa pranim teknik. Akademia e Shkencave, objekti i Ministrisë së Arsimit, objekti i Qeverisë së re, ish- Rilindja, janë duke u shfrytëzuar pa pranim teknik”, tregon Fazliu.

Në bazë të Ligjit të ndërtimit, një objekt ndërtimi duhet t’i plotësojë kriteret minimale për mbrojtjen e shëndetit publik, sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme përmes rezistencës së nevojshme të strukturës së hapësirave të emergjencës, ekuilibrit dhe stabilitetit, sanitarisë dhe menaxhimit të mbeturinave ndërtimore.

Kritere minimale të një objekti janë edhe ndriçimi adekuat dhe ventilimi, masat për efiçiencë dhe kursim të energjisë, siguria e jetës dhe pronës nga zjarri dhe rreziqet tjera që i atribuohen mjedisit ndërtimor, si dhe krijimi i sigurisë zjarrfikësve dhe përgjegjësve tjerë në raste të emergjencave.

Por, sa i përmbushin të gjithë këto kritere objektet e ndërtuara pas luftës në Kosovë?

Profesori i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Naser Kabashi, i cili flet vetëm për pjesën profesionale të ndërtimit të arkitekturës, thotë se nuk janë në nivelin çfarë duhet të jenë.
Pranimet teknike nuk janë në nivelin çfarë duhet të jenë, duke marrë parasysh numrin e objekteve që ndërtohet dhe numrin e objekteve që iu nënshtrohet pranimeve teknike

“Pranimet teknike nuk janë në nivelin çfarë duhet të jenë, duke marrë parasysh numrin e objekteve që ndërtohet dhe numrin e objekteve që iu nënshtrohet pranimeve teknike. Që të përmbushen kushtet individuale dhe të pjesshme për secilën pjesë, duhet të jenë certifikatat ose atestet për përdorimin e materialeve duke filluar nga armatura, betoni, materialet argjilore”, vlerëson Kabashi.

Numri i objekteve, të cilat i nënshtrohen pranimit teknik, thotë Kabashi, mbetet i ulët krahasuar me numrin e objekteve që ndërtohen.

Derisa rrezikshmëria e një objekti që lëshohet në shfrytëzim pa pranim teknik, thekson Kabashi, është e lartë. Sipas Kabashit, një etazhitet i kufizuar për gjendjen momentale do t’i bënte mirë shoqërisë kosovare që të jetojë më sigurt.

“Në aspektin e sigurisë, nuk duhet të ketë tolerime, flas në aspektin konstruktiv. Përmbushja e kushteve është obligim i patejkalueshëm, ndërkaq finesat e shfrytëzimit dhe disa materialeve në aspektin termoizolues dhe izolues, ndoshta tani kemi materiale më të reja, por kostoja e tyre ende është e lartë dhe ende hezitohet të përdoret, çfarë kërkohet me standardet në Evropë apo edhe në disa vende më të zhvilluara”, thekson Kabashi.

Në anën tjetër, banorët të cilët jetojnë në banesat që nuk iu është bërë pranimi teknik, thonë se atyre ndërtimeve ju mungon shumëçka, duke filluar nga parkingu, e deri te stabiliteti i ndërtesës.
Vetë fakti se banesat ndërtohen aq afër njëra-tjetrës dhe nuk ka hapësira të gjelbëruara, as parking të mjaftueshëm, lë të kuptosh se banesat po ndërtohen pa i përmbushur standardet...

Ardian Berisha jeton në një banesë, e cila është ndërtuar para pesë vjetësh dhe ky ndërtim, sipas tij, nuk i plotëson standardet e parapara me Ligjin për ndërtim.

“Vetë fakti se banesat ndërtohen aq afër njëra-tjetrës dhe nuk ka hapësira të gjelbëruara, as parking të mjaftueshëm, lë të kuptosh se banesat po ndërtohen pa i përmbushur standardet e parapara”, shprehet Ardiani.

Ndryshe, në raportet e ndryshme të organizatave joqeveritare vendore, sektori i ndërtimit në Kosovë ishte konsideruar si një nga sektorët më të korruptuar në vend.
XS
SM
MD
LG