Ndërlidhjet

(Pa)kënaqësi me zgjedhjet


Në një qendër votimi në Prishtinë, 12 dhjetor 2010.
Në një qendër votimi në Prishtinë, 12 dhjetor 2010.
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka vlerësuar zgjedhjet e djeshme si të suksesshme dhe i ka ftuar partitë politike që t’u besojnë institucioneve, ndërsa vërejtjet e tyre t’i adresojnë tek autoritetet përkatëse. Shumica e partive politike thonë se kanë vërejtje serioze ndaj gjithë procesit.


Ndërsa shumica e partive politike shprehin vërejtje serioze ndaj procesit të përfunduar zgjedhor, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka përshëndetur organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe i ka vlerësuar ato të suksesshme.

Krasniqi, i cili vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo e cila tashmë ka shpallur fitoren, tha se i përgëzonte qytetarët, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe subjektet pjesëmarrëse për një proces të suksesshëm zgjedhor.

Hashim Thaçi ka shpallur mbrëmë fitoren e PDK-së.
Krasniqi ftoi partitë politike që t’i besojnë KQZ-së, kurse për vërejtjet, ai tha se ato duhet t’i adresojnë tek institucionet përkatëse.

“Ftoj partitë politike dhe qytetarët që të kenë besim të plotë në organet e pavarura zgjedhore. Duke vepruar brenda sistemit tonë zgjedhor, çdo pakënaqësi a kërkesë duhet drejtuar organeve përkatëse të këtij sistemi”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, shumica e partive politike janë në pritje të rezultateve preliminare, që do të shpallen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, para se të marrin qëndrime, siç thonë ato, nëse do t’i pranojnë apo jo rezultatet.

Përveç Partisë Demokratike të Kosovës, e cila tashmë ka shpallur dhe kremtuar fitoren e saj, partitë tjera thonë se në zgjedhjet e djeshme janë shënuar shumë parregullsi, të cilat, sipas tyre, e kanë dëmtuar gjithë procesin.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kontestuar rezultatet e zgjedhjeve në rajonin e Drenicës, të cilat, sipas kësaj partie politike, ndikojnë në rezultatin total të zgjedhjeve.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri, tha se LDK-ja do të dalë me qëndrime përfundimtare, vetëm pasi që KQZ-ja t’i publikojë rezultatet. Ai e përjashtoi çdo mundësi që LDK-ja edhe për një mandat të ardhshëm të qeverisë si partnere e PDK-së.

“Ne nuk pranojmë që të jemi në koalicion - edhe po të dalë fituese PDK-ja - me një subjekt që apriori shihet se ka manipuluar me vota. Sido që të jetë rezultati, ne në asnjë variant nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në. Ne besojmë se rezultati dhe përfundimi nuk do të jenë çfarë ka dëshirë PDK-ja dhe dikush tjetër”, tha Beqiri.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin larg përmbushjes së standardeve të parapara, ka vlerësuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Shtabit Zgjedhor të AAK-së, Blerim Kuçi, tha se keqpërdorime serioze janë shënuar në shumë komuna të Kosovës. Kuçi tha se AAK-ja do të përcaktohet nëse do t’i pranojë apo jo rezultatet e zgjedhjeve, pasi që Komisioni Qendror Zgjedhor t’i japë rezultatet e para preliminare.

“Keqpërdorime të mëdha ka pasur pothuajse në çdo komunë. Por ne, megjithatë, do t’i presim rezultatet e KQZ-së, e pastaj do të shikojmë dhe marrim vendim se a do t’i pranojmë këto rezultate apo jo”
, tha Kuçi.

Me qëndrime të njëjta rreth pranimit apo jo të rezultatit të zgjedhjeve është paraqitur edhe Lëvizja Vetëvendosje. Glauk Konjufca, nga ky subjekt politik, tha se priten rezultatet e KQZ-së dhe shqyrtimi i ankesave, para se të merren vendime të tjera.

Qendra e numërimit të rezultateve në Prishtinë.
“Meqë ka pasur shkelje dhe manipulime, të cilat e kanë deformuar rezultatin real të asaj që populli ka shprehur, ne nuk do t’i pranojmë rezultatet e asnjë qendre të votimit - aty ku ne jemi të bindur se ka pasur manipulime dhe do t’i prezantojmë faktet”
, tha Konjufca.

Edhe subjekti tjetër politik që ka garuar për herë të parë në zgjedhje, Fryma e Re, ka ankesa të shumta në gjithë procesin. Ilir Deda, nga FER-i, tha se, pavarësisht asaj që flitet publikisht për zgjedhjet, atij edhe disa monitorues ndërkombëtarë i kanë raportuar për shkelje të shumta.

“Në një bisedë private, të cilën e kam pasur mbrëmë me një monitorues ndërkombëtar, ai më ka thënë se as në Afganistan nuk ka ndodhur ajo që ka ndodhur në Kosovë”.

“Por, kjo le t’i mbetet në derë çdo partie politike, se a do ta pranojë një proces të tillë zgjedhor, i cili prej fillimit deri në përfundim nuk ka qenë çfarë është dashur të jetë
”, tha Deda.

Sidoqoftë, pritet që partitë politike t’i sqarojnë pozicionet e tyre në lidhje me kontestimin apo jo të rezultateve, pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i publikojë rezultatet preliminare.
XS
SM
MD
LG