Ndërlidhjet

Veriu jashtë regjistrimit të popullsisë?


Pamje nga Mitrovica
Pamje nga Mitrovica

Kundërshtimi i banorëve serbë të veriut të Kosovës për t'i pranuar institucionet dhe proceset shtetërore të vendit, vlerësohet të jetë një ndër sfidat kryesore për procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë.

Pas gati 30 vjetësh, në vitin e ardhshëm në Kosovë, gjatë 15 ditëve të para të muajit prill, nën udhëheqjen e Ministrisë së Administratës Publike pritet të bëhet incizimi i popullsisë rezidente.

Ministrja e Administratës Publike, Edita Tahiri, i tha Radios Evropa e Lirë se sfidë e vazhdueshme në këtë proces mbeten banorët serbë të veriut të Kosovës, të cilët, siç u shpreh ajo, ende janë të ndikuar nga Beogradi zyrtar.

Tahiri shprehu bindjen se përmes komunikimit dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës do t'i përfshijë edhe banorët serbë të veriut në procesin e regjistrimit.

“Unë pres që të gjitha komunitetet do të marrin pjesë, mirëpo ende kemi një sfidë lidhur me një pjesë të komunitetit serb që nuk e ka pranuar integrimin në institucione dhe realitetin e Kosovës. Në këtë projekt të përfshirjes së të gjithë qytetarëve-përfshirë edhe serbëve të veriut të Kosovës, ne kemi mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të gjithë partnerëve ndërkombëtarë”
, tha Tahiri.

Mirëpo, përfaqësuesit e serbëve të veriut thonë se nuk janë pjekur kushtet për regjistrimin e popullsisë në Kosovë në vitin 2011.

Marko Jakshiq

Njëri nga serbët e veriut të Mitrovicës, Marko Jakshiq, tha se serbët, në prill të vitit të ardhshëm, nuk do t’i përgjigjen regjistrimit të popullsisë, për shkak të një numri të madh të serbëve që janë zhvendosur nga Kosova, e të cilët do të mbesnin jashtë këtij procesi.

“Mendoj se nuk janë pjekur kushtet që serbët të dalin në regjistrimin e popullsisë më 2011 dhe jo vetëm në veri, por në gjithë territorin e Kosovës. E them këtë, ngase mbi 220 000 serbë i kanë lëshuar shtëpitë e tyre, e deri më tash gati se askush nuk është kthyer kështu që pjesëmarrja në këtë regjistrim do të thoshte legalizim i spastrimit etnik të serbëve”,
u shpreh Jakshiq.

Përveç Bosnjës, ku ende nuk është caktuar afati preciz kohor, pranvera e vitit të ardhshëm pritet të jetë periudha, në të cilën të gjitha vendet e rajonit do ta bëjnë regjistrimin e popullsisë.

Mundësia që banorët e veriut të Kosovës të bëhen cak për procesin e regjistrimit të Beogradit zyrtar nuk hidhet poshtë nga autoritetet kosovare.
Nëse dëshiron të regjistrohet si qytetar i Serbisë, duhet të jetë banues në Serbi, e jo në Kosovë. Nëse dëshiron të regjistrohet si banues i Kosovës, duhet që atë ditë të jetë në shtëpinë e tij në Kosovë.


Megjithatë, Tahiri theksoi se regjistrimi i popullsisë në të njëjtën periudhë me vendet e rajonit, përfshirë Serbinë, është një mundësi e mirë që serbët e veriut të vendosin nëse duan të jetojnë në Kosovë apo në shtetin serb.

“Atëherë qytetari duhet të vendosë nëse ai dëshiron të regjistrohet. Nëse dëshiron të regjistrohet si qytetar i Serbisë, duhet të jetë banues në Serbi, e jo në Kosovë. Nëse dëshiron të regjistrohet si banues i Kosovës, duhet që atë ditë të jetë në shtëpinë e tij në Kosovë”,
theksoi Tahiri.

Përfundimi i procesit të regjistrimit të popullsisë vlerësohet të kushtojë diku 10. 7 milionë euro. Autoritetet kosovare kanë ndarë tashmë një buxhet prej 3.9 milionë eurosh për këtë proces, ndërkaq Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë e ka mbështetur këtë projekt me 2.5 milionë euro.

Pjesa tjetër, e cila nevojitet për ta financuar këtë projekt nuk është gjetur ende, por thuhet se priten donacione të tjera nga organizata e mekanizma të ndryshëm. Regjistrimi i fundit i popullsisë kosovare është bërë në vitin 1981 nga pushteti i atëhershëm serb.
XS
SM
MD
LG