Ndërlidhjet

Sofje: Është arrestuar Agim Çeku


Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, është arrestuar në Bullgari, ka njoftuar Ministria e Brendshme e këtij vendi.

“Agim Çeku është arrestuar në Geshevo, kur ai ka hyrë në Bullgari, në bazë të një kërkese të Interpolit”, ka thënë zëdhënësja Diana Jankulova, duke shtuar se një gjykatë bullgare, gjatë ditëve të ardhshme, do ta shqyrtojë rastin e tij.

Kryeprokurori bullgar, Nikollaj Kokinov, tha se “Agim Çeku do të mbahet i arrestuar për 72 orë, nga e mërkura”.

Në Prishtinë, arrestimin e tij në Bullgari e ka konfirmuar edhe Partia Socialdemokrate e zotit Çeku.

“Zoti Çeku është arrestuar në kufirin ndërmjet Bullgarisë e Maqedonisë në Qustendil, pas fletarrestit të Serbisë më 9 Maj”, tha zëdhënësi i kësaj partie, Gëzim Kasapolli.

Sipas tij, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, “ishte në Bullgari për bisedime me zëvëndësministrin e Jashtëm të këtij vendi dhe me njerëz të tjerë”.
Por Sofja ka hedhur poshtë se vizita e Çekut ishte e natyrës zyrtare.

Zoti Kasapolli tha se bisedimet për lirimin e tij janë në zhvillim e sipër dhe kjo parti “pret që të lirohet herët në mëngjes”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG